Historiku

1999

Festivali “Kenga Magjike” ka nisur atëherë kur muzika e vërtetë shqiptare duhej të rilindte dhe kur më shumë se kushdo, emrat e saj të vërtetë, ikonat e një brezi të tërë artistësh do të ringjallnin vlerat e saj. Të kujtosh sot në skenë Tonin Tërshanën, Luan Zhegun, Ema Qazimin, Myfarete Lazen apo Liliana Kondakçiun, kupton se ky fëmijë i brishtë, që lindi si një nismë e mirëfilltë artistike e producentit Ardit Gjebrea, gjatë gjithë jetës së tij do të mbështetet fuqimisht tek arti i vërtetë. Por sigurisht, festivalit nuk do t’i mungonin as zërat e rinj dhe emra, që në vitin 1999 ishin në fillimet e karrierës së tyre. Elsa Lila ishte një prej këtyre artisteve, që me guximin për të kënduar përballë të mëdhenjve do të merrte mes 34 këngëve edhe shpërblimin e pakrahasueshëm të çmimit të parë dhënë nga një juri profesioniste, e kryesuar nga Anida Take. Këngëtarja rrezëllitëse e muzikës shqiptare do t’i rikthehej skenës pas 10-vitesh mungesë duke marrë jo vetëm emocionet e këngës, por edhe një vlerësim moral. Në skenën e festivalit, ajo vlerësohet me medaljen “Naim Frashëri”, nga vetë Presidenti i Republikës. Por festivali që bashkoi brezat, arriti  të bashkonte edhe familjet. Për të parën here, Gaqo Çako dhe Pirro Çako shfaqen në skenë në një duet, që mbetet unik dhe i papërsëritshëm. Producenti dhe prezantuesi i festivalit, Ardit Gjebrea shfaqet në skenë me dy vajza simpatike në krah, dy misse me kurorë, që bashkuan Kosovën me Shqipërinë: Valbona Selimllari dhe Venera Mustafa. Tri netët e festivalit janë përcjellë në ekran nën regjinë e të madhit Pali Kuke, i cili do të vazhdonte të qëndronte në pult edhe në dy edicionet pasuese.     


2000

Një vit jubile, që do të shënonte një eveniment të pakrahasueshëm për nga emocionet. Pikërisht kënga magjike 2000 do të rikthente për herë të parë pas një mungese 15-vjeçare, Bylbylin e Kosovës, Nexhmije Pagarushën. Një  zë brilant, që nuk mund të vinte thjesht si Presidente e jurisë së festivalit, por që erdhi denjësisht si një këngëtare e munguar, që në duetin me kantautorin Ardit Gjebrea do të emociononte shqiptarët në të dy anët e kufirit. Kjo, nuk do të ishte përvoja e parë e Nexhmije Pagarushës në Festivalin Kënga Magjike, por ishte kujtimi i parë i saj pas një mungese të gjatë. Një kujtim i shoqëruar me lotë dhe duartrokitje të gjata. Tashmë ky event nuk vinte thjesht si një festival. Përvoja e një viti më parë kishte treguar se bëhej fjalë për një aktivitet spektakolar, ku ruhej natyrshëm ekuilibri mes garës dhe spektaklit. Mes këngëve konkurrente, artistëve të njohur e të rinj kishte vend edhe për një të ftuar speciale si Justina Aliaj, e cila pas 9-vjetësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kthehet skenës së Pallatit të Kongreseve për t’i kënduar sërish Shkodrës. Por Çmimi i parë i festivalit mbetet në Tiranë dhe shkon tek motrat Libohova. Gjatë tri netëve, dialektet e shqipes u përzjenë edhe me një theks gjerman, që vinte nga bashkëprezantuesja e Gjebresë, Sabine Blumayer.


2001

Duket se në vitin 2000 bukuroshja gjermane Sabine Blumayer do të krijonte një fenomen, që më  pas u kthye në traditë. E kështu ndodhi edhe në vitin 2001, kur tre femra krejtësisht origjinale dhe të ndryshme nga njëra-tjetra, arritën të përcillnin nga skena e Pallatit të Kongreseve emocionet e një festivali shqiptar. Kristen Pizani dhe Brigitte Serveni do të tregonin ndër të tjera edhe aftësitë e tyre për të folur shqip, ndërsa e mirënjohura Natalia Estrada do të shkëlqente me gjithë impulsivitetin dhe energjinë mesdhetare në natën finale, në krah të prezantuesit Ardit Gjebrea. Ky çift, arriti jo vetëm të përcillte emocione të jashtëzakonshme, por të krijonte edhe risi për skenën shqiptare, duke marrë veç duartrokitjeve të publikut, edhe vlerësimet maksimale të mediave. Ashtu si çdo vit, festivalit nuk i munguan as të ftuarit specialë dhe natyrisht pjesë e tij u bënë figura të njohura të muzikës shqiptare, si Liljana Çavolli, Avni e Nina Mula, etj. Juria e kryesuar nga shkrimtari Vath Koreshi, ka vlerësuar me çmimin e parë duetin e Rovena Dilos dhe Pirro Çakos, një këngë që shumë shpejt u kthye në hit.         


 

2002

E ndërsa këngëtarët e afirmuar vazhdonin të ishin pjesë e Festivalit Kënga Magjike, që nga lindja e tij, gjatë rrugës që ky event kishte nisur bashkoheshin emra dhe zëra të rinj. Artistët po gjenin tempullin e vërtetë të muzikës, ndërsa publiku po kuptonte sërish vlerat e harruara të saj. Ndonëse muzika mbetej kryefjala e një festivali, që po shtrihej tashmë edhe përtej kufijve, elementët e tij spektakolarë po bëheshin përherë e më të fuqishëm. Dhe këtu përfshihej edhe humori, balerinët  e prezantuesit. Për të dytin vit radhazi Natalia Estrada vjen në Tiranë. Tashmë e familjarizuar me skenën dhe spektatorin, ajo është në gjendje, jo vetëm të vallëzojë e të thotë fjalë në gjuhën shqipe, por edhe të këndojë në gjuhën tonë. Mes 31 këngëve, juria e kryesuar nga Margarita Kristidhi ka vlerësuar me çmimin e parë këngëtaren Mira Konçi. Regjisore dhe bashkëproducente e festivalit në 3 edicione të tij është Vera Grabocka.      


2003

Në 5 vite jetë Festivali Kënga Magjike kishte mbledhur rreth vetes, jo vetëm miqtë e muzikës, por edhe gjithë simpatinë e vëmendjen e publikut. Duke i kaluar kufijtë shqiptarë të transmetimit televiziv, ky eveniment ishte shëndërruar tashmë në një traditë, që ndiqej edhe nga shqiptarët e Kosovës. Me sa duket edicioni i pestë ishte një festival, që veçanërisht i dedikohej seksit femër. Nuk mund të kuptohet ndryshe, juria e formuar vetëm nga zonja dhe zonjusha, me Presidente gazetaren Afërdita Saraçini Kelmendi. Rastësisht edhe tek fitueset e 4 festivaleve të shkuara dominonin femrat. Elsa Lila, Irma Libohova, Rovena Dilo dhe Mira Konçi, sollën në skenë një kolazh, që riktheu tek teleshikuesit emocionet e katër festivaleve të para, ndërkohë që tingujt e këngëve ishin tashmë të dashura për të gjithë. Sepse albumi me këngët magjike, gjatë kësaj periudhe kishte shënuar shitje të përmasave gjigande, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në  Maqedoni, Gjermani dhe Zvicër. Dhe si një gentleman i vërtetë, Ardit Gjebrea i respekton femrat deri në fund. Në të njëjtën mënyrë do të respektonte ai edhe të ftuarat e ardhura nga jashtë, Kim Lucas dhe Natali Harts. Ndërkohë përkrah prezantuesit dhe producentit të festivalit, qëndron këtë radhë Brigitte Nielsen, një bjonde që ka ditur të elektrizojë sallën, jo vetëm me fjalët në gjuhën shqipe, por edhe me performancat karateristike.  Çmimi i parë i festivalit shkon në Kosovë tek këngëtarja Ema Bytyçi.     

2004

Një festival që kalon kufijtë gjeografikë me misionin për të unifikuar kulturën dhe tregun muzikor shqiptar. I tillë do të ishte edicioni i 6-të i Festivalit Kënga Magjike, një superproduksion i transmetuar drejtpërdrejt nga RTV 21, TV Klan dhe radio NRG dhe që u mirëprit nga publiku duke marrë vlerësimet maksimale të tij. Klimën e krijuar dhe veçanërisht emrin dinjitoz të festivalit Kënga Magjike nuk mundën ta zbehin as disa qarqe, të cilat u përpoqën të hedhin baltë në një pakicë mediash në Kosovë e ndonjë e parëndësishme në Shqipëri. Këto qarqe, diku të zbuluara e diku të fshehura shkuan deri në një alarm bombe të rremë, duke dashur ta sabotojnë festivalin në natën finale të tij. Por të gjitha këto përpjekje çuan vetëm në një vonesë prej 1 orë e 30 minuta, ndërkohë, që festivali shënoi audiencë të jashtëzakonshme. Juria me Presidente zonjën Nexhmije Pagarusha shpalli fituese këngën “Prapë tek ti do të vij”, e kënduar nga këngëtarja Irma Libohova.


2005

Është cilësuar si festival i ndryshimeve të mëdha, Kënga Magjike 2005. Dhe këto ndryshime u reflektuan, jo vetëm në përmbajtjen dhe formën e festivalit, por edhe në pritshmërinë e publikut dhe pasqyrimin e mediave. Gjebrea, producent dhe prezantues falenderon stafin, bashkëpunëtorët, artistët dhe ata që mbështetën këtë aktivitet gjigand. Tri netët finale të festivalit që u zhvilluan më 11, 12 dhe 13 Nëntor, në Pallatin e Kongreseve, në kryeqytetin shqiptar u transmetuan drejtpërdrejt nga TV Klan, RTV21 dhe RTV dhe NRG radio. Çmimi “Kënga Magjike 2005” shkon tek këngëtarja Genta Ismajli me këngën “Nuk dua tjetër”. Por ashtu si çdo vit, që pritej një suprizë, por nuk dihej se cila ishte, Gjebrea ka arritur të emocionojë publikun me një moment nostalgjik. Presidenti i jurisë Robert Radoja, u befasua me të papriturat që sollën Yllka Mujo, Irma Libohova, Zana Çela dhe Gjebrea me këngët e fëmijërisë si dhe finalen e papritur, kur Refik Halili në emër të të gjithë brezave artistë,  nxënës të Radojës, i dhuron profesorit një makinë. E ndërsa si prezantuese ka zgjedhur bukuroshen shqiptare Denada Dajlani, në regji producenti i festivalit bën një gjetje tjetër. Duke qëndruar brenda konceptit të një festivali unik për shqiptarët kudo janë, ai zgjedh dy regjisorë të televizionit kosovar; Agron Vula dhe Astrit Idrizi, të cilët do të realizojnë regjinë edhe në festivalet pasuese, duke mbërritur tek i 10-ti.


2006

Viti 2006 shënon sukses në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse si dhe në transmetimin televiziv të Festivalit “Kënga Magjike”. Faza e parë, xhiruar në ambientet e “Resort Tropikal” në Durrës njohu 44 këngë, ndërsa performancat skenike dhe televizive u gërshetuan me lojën dhe argëtimin. Netët gjysmëfinale dhe ajo finale, të mbajtura në datat 17, 18 dhe 19 Nëntor, transmetohen “live” njëherazi në Tv Klan, RTV21, MRT Kanali2 (Maqedoni),  Balkanika Music Television (Bullgari) dhe NRG Radio. Në finale mbërrijnë 19 këngë, të cilat vijnë në të gjitha llojet e rrymave. Fitues i edicionit të 8-të është Armend Rexhepagiqi me këngën “Kur dashuria vdes”. Pas 11 vjetësh, në skenë kthehet këngëtarja Lindita Theodhori e cila si Presidente e jurisë, sjell njëkohësisht edhe nostalgjinë e “Kafe Flora”. Një nga kulmet dhe surprizat e mbrëmjes është ngjitja në skenë e tenorit shqiptar me famë botërore, Sajmir Pirgu. Nxënësi i Pavarotti-t, këndon arien “Nessun Dorma” dhe më pas në duet me kantautorin Gjebrea, këndojnë këngën “Zotit”. Publiku i Pallatit të Kongreseve duartroket gjatë.

2007

“Kënga Magjike 2007” thyen çdo rekord televiziv të deritanishëm, të transmetimit të ndonjë festivali shqiptar. TV Klan, RTV21, Alsat – Maqedoni, Ora Neës, STV dhe Ballkanika Music Television, japin drejtpërdrejt këtë event. Gjithashtu transmetohet nga Radio 21 dhe Radio Energy. Cilësia e këngëve gjithnjë në rritje, bën që në fazën e parë të marrin pjesë 54 këngë. Në netët finale të festivalit, në datat 23, 24 dhe 25 Nëntor, interpretohen 20 këngë prej të cilave, vetë juria e këngëtarëve shpall fituese këngën “Hape  veten”, e interpretuar nga Aurela Gaçe. Skena e Këngës Magjike ka bashkuar në natën finale të festivalit, breza artistësh të zhanreve të ndryshme muzikore. Një soprano si Edith Mihali, një tenor si Presidenti i jurisë Gaqo Çako, një violinist si Ibrahim Madhi, të shoqëruar nga  Luiza Papa, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Mefarete Laze, Limos Dizdari dhe  Ardit Gjebrea kanë përcjellë një kolazh, që do të mbetet i paharrueshëm për muzikën shqiptare.


2008

Festivali “Kenga Magjike 2008”  sjell një evolucion në mënyrën se si prezantohet skena e një eventi të tillë. Është skenografia e realizuar nga mjeshtri i RAI-t Gaetano Castelli, i cili paraqet një stil krejt të veçantë në ideimin dhe realizimin e një skenografie në Shqipëri. Ndërsa netët finale mbahen si çdo vit në Pallatin e Koncerteve, faza e parë e këtij festivali prezantohet tashmë përgjatë javëve të programit “E diela shqiptare”. Edhe këtë vit rrymat muzikore janë të larmishme e po kështu edhe pjesëmarrja e artistëve. Fitues i këtij viti, shpallet këngëtarja Jonida Maliqi me këngën “Njëri nga ata”.      



2009

“Kenga Magjike 2009”, vjen ne sallen e pallatit te Koncerteve serish ne muajin nentor. Nje festival qe vijon te jete i pasqyruar në të gjithë mediat, që vazhdon të ketë jehonë dhe ndikim të gjerë brenda e jashte kufijve shqiptare. Është ky eveniment i rëndësishëm i muzikës shqiptarë, që në fakt sjell risi jo vetëm më rrymat muzikore, por edhe në elementët e spektaklit. Në këtë festival këngëtarja Adelina Ismajli i rikthehet skenës shqiptare pas 10 vjetësh mungesë. Përgjatë tri netëve në Pallatin e Koncerteve në krah të prezantuesit Ardit Gjebrea janë Carmen Gjani dhe Katia Kongoli, njëra rumune e tjetra ukrainase. Ky bashkëpunim solli për teleshikuesit edhe një kolazh përshëndetës me këngë në të tri gjuhët. Janë këngëtaret Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu, ato që me votat e kolegëve këngëtarë marrin çmimin e parë me këngën “Rruga e zemrës”, kompozuar nga Darko Dimitrov.


2010

Mund të konsiderohet jo vetëm festivali i këngëve, por edhe i performancave. Një shoë i vërtetë, realizuar nga këngëtarët pjesëmarrës, të cilët kanë sjellë performanca krejtësisht të veçanta në skenën e Pallatit të Koncerteve. Pjesë e këtij shoë është bërë edhe publiku i Pallatit të Koncerteve, i cili i elektrizuar ka kënduar në kor karaoke, disa nga këngët e festivalit “Kënga Magjike”. Ashtu si një vit më parë, edhe në këtë edicion prapaskena është kthyer në një skenë të dytë, nga ku kane ardhur live emocionet e këngëtarëve të vendosur aty. Pikante në këtë festival ka qenë edhe pjesëmarrja e aktorit të humorit Agron Llakaj, i cili ka shkëmbyer jo vetëm batuta, por edhe momente muzikore me këngëtaret fituese të një viti më parë, Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu. Në krah të prezantuesit Gjebrea këtë vit ka qenë braziliania Andresa Soares Ambrozio Fagundes dhe amerikania Kelly Goc. Fitues të këtij edicioni shpallen këngëtarët Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, me këngën “Sa e shite zemrën”, ndërkohë që për herë të parë votat e këngëtarëve për njëri-tjetrin bëhën publike.


2011

Kënga magjike 2011 mbahet në datat 17, 18 dhe 19 Nëntor si gjithmonë në Pallatin e Koncerteve. Janë 54 këngëtarë që marrin pjesë në 2 netët e para të këtij eventi e që në mënyrë të hapur vazhdojnë të votojnë njëri-tjetrin. Supriza e këtij viti ka qenë pa dyshim pjesëmarrja në bashkëprezantim e aktores turke Songül Öden e njohur nga shqiptarët si personazhi i Gymysh. Ardhja e kësaj aktoreje për herë të parë në vendin tërhoqi vëmendjen e gjerë të publikut, por edhe mediave, ndërsa batuat e saj me aktorin Agron Llakaj sollën shoë dhe humor për ndjekësit e këtij eventi. Ndërkohë, emocionet e këngëtarëve edhe këtë vit erdhën përmes prapaskenës, e shndërruar në një skenë të dytë. Çmimin e parë, me votat e vetë këngëtarëve e merr Redon Makashi.  



2012

Skenografi moderne, muzikë cilësore dhe dy prezantuese sharmante në krah të show man-it Ardit Gjebrea. Në fakt këta janë vetëm disa nga elementët e festivalit “Kënga Magjike 2014” që vijon të ketë vëmendjen e gjerë të publikut dhe praninë e personaliteteve më të rëndësishëm të vendit. Ky vit, gjithashtu shënon nivel të lartë të interaktivitetit të skenës me sallën, ku publiku i pranishëm jo vetëm këndon bashkë me prezantuesit “Dua mëngjeset e majit”, por gjithashtu bëhet pjesë e situatave simpatike plot humor, të nxitura edhe nga dy prezantueset Olta Gixhari dhe Armina Mevlani. Regjisor i festivalit në këtë edicion, është Pali Kuke. Janë 43 artistë pjesëmarrës ata që votojnë në mënyrë të hapur dhe nxjerrin fitues këngëtarin Alban Skënderaj me këngën “Refuzoj”.


2013

“Kenga Magjike 2013” ndjek tashmë suksesin e viteve parardhëse, si një festival i afirmuar me pjesëmarrje të gjerë të artistëve nga Shqipëria dhe diaspora, një event që u jep hapësirë të konsiderueshme artistëve të rinj. Është pa dyshim festivali i këngëve që mbeten hit e që lançohen më gjatë. Me një skenë madhështore që vijon të realizohet nga mjeshtri Gaetano Castelli, ky edicion që shënon edhe vitin e 15-të të tij, ngjit në skenë bashkë me prezantuesin Gjebrea, dy vajza të reja që për herë të parë u jepet kjo mundësi: Mariela Berliku dhe Ervisa Lati. Janë dy prezantuese, të zgjedhura nga produksioni i festivalit në mënyrë rastësore, përgjatë një “audicioni” të realizuar në ambjentet publike të kryeqytetit. Ndërkohë pjesë e pashkëputur e festivalit janë dy artistët e humorit, Ermal Mamaqi dhe Ervin Bejleri, të cilët sjellin situata të këndshme të trajtuara pikërisht për skenën e Pallatit të Koncerteve. Edhe këtë vit vijon tradita e votimit të hapur të këngëtarëve për njëri-tjetrin, përmes të cilit fituese shpallet Besa, me këngën “Tatuazh në zemër”. Regjisore të këtij festivali janë Aldon Lipe dhe Iv Tase.